Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar përfundimin e operacionit ushtarak “Epic Rage” ndaj Iranit dhe nisjen e një faze të re të quajtur “Project Freedom”, e fokusuar në sigurinë detare në rajon.
Sipas tij, operacioni i ri synon garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një zonë kyçe për transportin global të energjisë, e cila është përfshirë nga tensione të forta për shkak të konfliktit në Gjirin Persik.
Rubio bëri të ditur se situata në terren mbetet e rëndë, duke konfirmuar se rreth 10 detarë kanë humbur jetën si pasojë e incidenteve në këtë zonë. Ai theksoi se operacioni “Project Freedom” ka karakter mbrojtës dhe synon gjithashtu evakuimin dhe shpëtimin e mijëra civilëve të bllokuar në rajon.
Zyrtari i lartë amerikan deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të garantojnë lirinë e lundrimit dhe do të ndërhyjnë vetëm në rast sulmesh, duke shtuar se forcat amerikane kanë neutralizuar disa mjete lundruese iraniane gjatë operacioneve të fundit.
Në të njëjtën kohë, Marco Rubio i bëri thirrje Teheranit të rikthehet në tryezën e negociatave për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.
Përveç zhvillimeve në rajon, ai preku edhe çështje të tjera ndërkombëtare, përfshirë situatën në Liban, Kubë dhe bashkëpunimin me Vatikanin për çështje që lidhen me lirinë fetare.









