Lufta me Iranin mund të zgjasë edhe 2-3 javë – Trump: “E kemi fituar tashmë ushtarakisht”

Presidenti i Donald Trump ka deklaruar se konflikti me Iranin mund të zgjasë edhe dy deri në tre javë të tjera, ndërsa ka theksuar se Shtetet e Bashkuara ndodhen në një pozicion dominues ushtarak.

Në një intervistë telefonike për radion amerikane, Trump u shpreh se koha nuk është faktor vendimtar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se situata mund të përfundojë ose me marrëveshje, ose me fitore të shpejtë ushtarake.

“Ose bëjmë marrëveshjen e duhur ose fitojmë shumë lehtë. Nga pikëpamja ushtarake, ne e kemi fituar tashmë këtë,” deklaroi ai, duke iu referuar zhvillimeve në konflikt.

Trump pretendoi gjithashtu se forcat amerikane kanë goditur dhe shkatërruar disa njësi detare të përdorura në rajon, ndërsa theksoi se kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit mbetet një element strategjik për SHBA-në.

Sipas tij, çdo përpjekje për të bllokuar trafikun detar në këtë zonë përbën rrezik të madh për anijet komerciale dhe ekonominë globale, duke e cilësuar situatën si të ndjeshme dhe të rrezikshme.

Trump gjithashtu deklaroi se tensionet në rajon kanë nxitur lëvizje të brendshme brenda Iranit, duke pretenduar se disa grupe po armatosen për të kundërshtuar qeverinë në Teheran.

Konflikti në rajon është përshkallëzuar që prej fundit të shkurtit, pas operacioneve ushtarake të raportuara mes SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane, të cilat u pasuan me kundërpërgjigje nga Teherani dhe tensione të shtuara në rrugët detare të Gjirit Persik.

Një armëpushim i përkohshëm u vendos më 8 prill përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar, por sipas raportimeve, bisedimet për një marrëveshje afatgjatë nuk kanë sjellë ende rezultat përfundimtar.