Lidhja Demokratike e Kosovës ka mohuar çdo spekulim për një marrëveshje të mundshme bashkëqeverisëse në Prishtinë me Partinë Demokratike të Kosovës apo me ndonjë subjekt tjetër politik.
Në një reagim zyrtar, LDK thekson se nuk ka hyrë në asnjë negociatë apo proces ndërpartiak për formimin e ndonjë bashkëqeverisjeje lokale dhe se çdo pretendim i tillë nuk përfaqëson qëndrimin e saj zyrtar.
Partia nënvizon se strukturat e saj vendimmarrëse nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje dhe se çdo deklarim apo interpretim jashtë këtyre organeve nuk ka vlerë politike për LDK-në.
Sipas reagimit, çdo marrëveshje politike e ligjshme për LDK-në mund të arrihet vetëm përmes institucioneve të saj zyrtare, me transparencë dhe vendimmarrje të brendshme, ndërsa çdo përpjekje për të anashkaluar këtë proces konsiderohet e pavlefshme.
LDK shton gjithashtu se në këtë fazë është e fokusuar në procesin e brendshëm të ringritjes dhe organizimit pas zgjedhjeve nacionale, duke theksuar se nuk ka asnjë agjendë tjetër prioritare për momentin.









