Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili kërkonte shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Etleva Deda, pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtjes dhe qëndrimit të prokurorisë. Gjykata vendosi të mos pranojë shtyrjen e vuajtjes së dënimit, duke lënë në fuqi ekzekutimin e tij.
Sipas vendimit të formës së prerë në shkallët e mëparshme të gjyqësorit, Jorgo Goro është dënuar me 2 vite burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij është reduktuar në 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Çështja ndodhet aktualisht në Gjykatën e Lartë, ku Goro ka depozituar rekurs kundër vendimit të Apelit të Posaçëm, i cili e la në fuqi dënimin.
Sipas dosjes gjyqësore, ish-kryebashkiaku është arrestuar më 23 mars 2024, ndërsa më herët ishte përballur edhe me akuza për shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie. Në një fazë të mëparshme, ai ishte liruar pas përfundimit të një pjese të dënimit, por vendimet e fundit gjyqësore kanë rikthyer ekzekutimin e plotë të pjesës së mbetur të tij.
Me vendimin e fundit, gjykata i hap rrugë vazhdimit të vuajtjes së dënimit pa shtyrje procedurale.









