Spastrim në polici pas tragjedisë – Pezullohet zinxhiri drejtues në Durrës, nis hetim i thelluar për përgjegjësit

Pas aksidentit të rëndë që tronditi Durrësin dhe mbarë opinionin publik, ku dy të mitur humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, drejtuesit kryesorë të policisë vendore janë pezulluar nga detyra, ndërsa ka nisur një hetim i gjerë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur urdhrin për pezullimin e menjëhershëm të drejtuesit të Policisë së Durrësit, Afrim Tafa, si dhe të zëvendësdrejtorit të Rendit dhe Sigurisë Publike, Zija Sulaj, dhe shefit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.

Në të njëjtën kohë, është ngritur një grup pune i përbërë nga ekspertë të specializuar, të cilët janë angazhuar për të analizuar me imtësi shkaqet dhe rrethanat e aksidentit fatal. Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka pasur neglizhencë apo përgjegjësi nga ana e efektivëve të policisë në këtë rast.

Ngjarja tragjike ndodhi mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku një 57-vjeçar, duke drejtuar një automjet tip Mercedes-Benz ML me shpejtësi të lartë, doli nga kontrolli dhe përplasi tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, të cilët ndodheshin në trotuar. Përplasja rezultoi fatale për dy prej tyre, ndërsa fëmija i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit dhe, pas përplasjes, u largua nga vendngjarja. Ai u arrestua më vonë nga policia dhe rezulton se kishte precedentë të mëparshëm për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë tejkalim të shpejtësisë dhe parakalime të rrezikshme, si dhe i ishte pezulluar më parë leja e drejtimit.

Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda penale, përfshirë “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen, “Drejtim të mjetit në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

Kjo ngjarje e rëndë ka nxitur reagim të fortë institucional dhe publik, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar masa të rrepta për çdo përgjegjësi që mund të dalë nga hetimet. Ndërkohë, pritet që rezultatet e analizave të hedhin dritë të plotë mbi rrethanat e aksidentit dhe rolin e mundshëm të strukturave përgjegjëse.

Njoftimi i Policise se Shtetit:

Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:

-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;

-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;

-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.

Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje  për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.