NATO merr mesazhin e Trump: sekretari Rutte: Vendet evropiane drejt zbatimit të marrëveshjeve për bazat ushtarake

Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Jerevan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka dhënë një mesazh të qartë lidhur me tensionet e fundit mes aleatëve evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një deklarate për mediat, Rutte theksoi se vendet evropiane të NATO-s kanë reflektuar mbi pakënaqësinë e Uashingtonit lidhur me kufizimet për përdorimin e bazave ushtarake në Evropë, veçanërisht në kontekstin e operacioneve të mundshme kundër Iran.

Sipas tij, mesazhi i SHBA-ve është marrë seriozisht dhe tashmë po ndërmerren hapa konkretë për të garantuar që marrëveshjet ekzistuese për përdorimin e bazave të respektohen plotësisht. “Evropianët e kanë marrë parasysh këtë shqetësim”, u shpreh Rutte, duke lënë të kuptohet se mund të ketë më shumë fleksibilitet në të ardhmen për përdorimin e infrastrukturës ushtarake.

Megjithatë, ai shmangu çdo koment lidhur me deklaratat e Donald Trump për një tërheqje të mundshme të rreth 5,000 trupave amerikane nga Gjermania, ku aktualisht janë të dislokuar rreth 38,000 ushtarë amerikanë.

Deklaratat e Rutte vijnë në një moment delikat për aleancën, ku balancimi i interesave strategjike mes SHBA-ve dhe partnerëve evropianë mbetet një sfidë kyçe për unitetin dhe efektivitetin e NATO.