Bllokohet arteria e naftës botërore – Ngushtica e Hormuzit paralizohet pas deklaratave të Donald Trump

Lundrimi në Ngushticën e Hormuzit është reduktuar ndjeshëm, pothuajse drejt ndalimit, pas deklaratave të forta të Presidentit amerikan Donald Trump mbi konfliktin me Iranin.

Sipas raportimeve të Bloomberg, vetëm dy anije tregtare iraniane kanë kaluar nëpër ngushticë gjatë ditës së diel, një rënie drastike krahasuar me një ditë më parë kur nëntë anije përshkuan këtë korridor jetik në të dy drejtimet.

Burimet tregojnë se aktualisht qarkullimi është kufizuar kryesisht për anije me lidhje rajonale ose me miratim të posaçëm nga autoritetet lokale, duke e kthyer një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë në një zonë me akses të kontrolluar.

Deklaratat e Trump më 3 maj duket se kanë përshkallëzuar tensionet, pasi ai e cilësoi të papranueshme përgjigjen e Teheranit ndaj propozimeve të Uashingtonit dhe theksoi se Irani “nuk ka paguar ende një çmim të mjaftueshëm të madh”.

Ndërkohë, raporti nënvizon edhe praktika të pazakonta të lundrimit: disa anije kanë kaluar nëpër ngushticë me transponderët e fikur, ndërsa mjetet tregtare iraniane i aktivizojnë ato vetëm pasi arrijnë në rajone më të sigurta, si Azia Juglindore.

Këto zhvillime kanë zbehur ndjeshëm shpresat për një normalizim të shpejtë të lëvizjes në Ngushticën e Hormuzit, duke ngritur shqetësime serioze për tregjet globale të energjisë dhe sigurinë në rajon.