Sipas raportimit të The New York Times, vendimi i Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të tërhequr një pjesë të trupave nga Gjermania nuk është thjesht një rishikim strategjik, por edhe një sinjal politik ndaj Berlinit.
Duke cituar burime nga radhët e zyrtarëve ushtarakë amerikanë, gazeta shkruan se ky hap shihet si një formë “ndëshkimi” për qëndrimin e Gjermanisë ndaj konfliktit me Irani. Sipas këtyre burimeve, Uashingtoni është shprehur i pakënaqur me mungesën e mbështetjes nga Berlini për operacionet ushtarake kundër Teheranit.
Edhe pse Pentagoni kishte shqyrtuar prej kohësh mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake në Gjermani, raporti sugjeron se vendimi final u ndikua ndjeshëm nga tensionet politike mes dy vendeve.
Më herët, Pentagoni konfirmoi planin për të tërhequr rreth 5000 trupa brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm, si pjesë e një rishikimi të përgjithshëm të dislokimit të forcave amerikane në Evropë.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar se SHBA po shqyrton reduktimin e trupave jo vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera si Italia dhe Spanja. Këto deklarata erdhën pas kritikave të kancelarit gjerman Friedrich Merz ndaj strategjisë amerikane në konfliktin me Iranin.
Merz kishte shprehur dyshime mbi qasjen e Uashingtonit, duke theksuar mungesën e një strategjie të qartë, ndërsa Trump reagoi ashpër, duke e akuzuar atë për qëndrime të papranueshme në lidhje me çështjen e armëve bërthamore iraniane.
Zhvillimet e fundit tregojnë për një përkeqësim të marrëdhënieve mes aleatëve tradicionalë dhe hedhin hije pasigurie mbi balancat e sigurisë në Evropë.









