Tjetër përplasje e fortë në garën për kreun e PD – kandidatja e përjashtuar, Balliu ‘shpërthen’ ndaj Berishës – Akuza për lidhje me Ramën

Demokratja Alesia Balliu ka reaguar ashpër ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas akuzave të këtij të fundit se ajo ka bërë fushatë për subjekte të tjera politike, çka çoi në skualifikimin e saj nga gara për drejtimin e PD-së.

Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Balliu i ka cilësuar të pavërteta pretendimet e Berishës, duke i kthyer përgjigje të drejtpërdrejtë dhe me tone të forta. Ajo i kërkon ish-kryeministrit që të mos ua faturojë demokratëve veprime që, sipas saj, lidhen me djalin e tij, Shkëlzen Berisha, në raport me kryeministrin Edi Rama.

“Sali, atë që bën Shkëlzeni me Ramën mos na e faturo ne”, shprehet Balliu, duke shtuar se Berisha duhet të japë llogari për përçarjen e brendshme dhe humbjen e thellë elektorale të Partisë Demokratike.

Në reagimin e saj, ajo ngre një sërë pyetjesh të drejtpërdrejta, duke vënë në dyshim funksionimin e strukturave të PD-së dhe raportet e saj me pushtetin aktual. Balliu ndalet veçanërisht te fenomeni i bashkëpunimit të disa këshilltarëve lokalë me Partinë Socialiste, si dhe te roli i biznesmenëve që, sipas saj, kanë bashkëpunuar si me qeverinë e dikurshme të Berishës, ashtu edhe me atë të Ramës.

“Si ka mundësi që biznesmenët që punonin me ty, punojnë edhe me Ramën? Si ka mundësi që PD-ja, që nga 2021, është minus 300 mijë vota?” – shkruan ajo, duke kërkuar përgjegjësi politike nga drejtuesi i opozitës.

Balliu rikujton gjithashtu shpalljen “non grata” të Berishës nga Shtetet e Bashkuara, duke kërkuar shpjegime se përse kjo çështje mbetet ende pa zgjidhje.

Në përfundim, ajo shprehet se nuk pret më përgjigje nga Berisha, të cilin e akuzon se nuk e kontrollon më realisht Partinë Demokratike, duke e cilësuar atë si një strukturë të mbyllur dhe të drejtuar nga një “klikë”. Megjithatë, ajo thekson se pret një reagim nga Shkëlzen Berisha, për të cilin pretendon se ka linja komunikimi me kryeministrin Rama.

Kujtojmë se Alesia Balliu ishte një nga kandidatet e skualifikuara nga gara për kryetare të Partisë Demokratike. Ndërkohë, në procesin e zgjedhjeve të 23 majit, Sali Berisha pritet të jetë kandidati i vetëm, ku anëtarësia do të votojë me “Po” ose “Jo” për konfirmimin e tij në krye të partisë.