Tifozëria e Real Madrid është shfaqur e pakënaqur me Kylian Mbappé, jo vetëm për paraqitjet e fundit, por edhe për udhëtimet e tij jashtë Madridit gjatë periudhës së rikuperimit nga dëmtimi.
Sulmuesi francez është parë së fundmi në Paris dhe më pas në Cagliari, në shoqërinë e partneres së tij, Ester Expósito. Imazhet e çiftit janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke sjellë reagime kritike nga një pjesë e tifozëve madrilenë.
Ata vënë në pikëpyetje faktin që lojtari udhëton ndërkohë që ndodhet në fazë rikuperimi, në një moment delikat të sezonit për skuadrën.
Nga ana tjetër, Mbappé synon të rikthehet në kohë për përballjen e rëndësishme të El Clasico më 10 maj. Megjithatë, kritikat ndaj tij nuk mungojnë as në France, teksa afrimi i Kupës së Botës ka rritur pritshmëritë.
Edhe pse konsiderohet një titullar i padiskutueshëm, sulmuesit i kërkohet më shumë përkushtim në stërvitje, në të njëjtin nivel me lojtarë si Ousmane Dembélé dhe Michael Olise.









