“Më refuzuan padrejtësisht” – Ervin Salianji shpërthen: PD nuk është pronë private

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër pasi kandidatura e tij për kreun e PD nuk u pranua, duke e cilësuar vendimin si një akt të paprecedentë dhe shqetësues për demokracinë brenda partisë.

Në një reagim publik, ai thekson se refuzimi i dokumenteve nuk është një çështje procedurale, por sipas tij një tregues i qartë se partia po trajtohet si pronë personale.

“Sot u konsumua një akt i padëgjuar më parë. Refuzimi i kandidimit nuk është thjesht procedurë, por provë se partia po trajtohet si pronë private,” shprehet Salianji.

Ai thekson se ndalimi i garës nuk mbron partinë, por interesat e një grupi të ngushtë, që sipas tij i trembet votës dhe drejtësisë.

Salianji shton se nuk ka kërkuar privilegje, por një garë të ndershme dhe votë nga anëtarësia, duke e konsideruar këtë thelb të demokracisë brenda partisë.

“Ky nuk është refuzim ndaj meje, por ndaj çdo demokrati që beson në një parti të hapur dhe konkurruese. Është uzurpim,” thekson ai.

Në fund, ai e cilëson këtë si një betejë për parime dhe jo për poste, duke paralajmëruar se përplasja politike brenda partisë nuk përfundon me këtë vendim.