Jamarbër Malltezi, i pandehur në dosjen “Partizani”, ka reaguar ashpër pas seancës së zhvilluar në GJKKO, duke akuzuar Taulant Ballën për dëshmi të rreme dhe duke e cilësuar të gjithë procesin si të stisur dhe me prapavijë politike.
Sipas tij, deklarimet e Ballës në gjykatë kanë qenë të pabazuara dhe kontradiktore, ndërsa theksoi se në kallëzimin e bërë ndaj tij ka “11 gënjeshtra”.
“Balla gënjeu në Gjykatë nga fillimi në fund. Nuk kishte asnjë dokument, tha se i kishte nga mediat apo me të dëgjuar. Janë 11 gënjeshtra në kallëzimin e tij,” u shpreh Malltezi.
Ai kundërshtoi edhe pretendimet për përfitime financiare apo aksione, duke theksuar se nuk janë mbështetur me prova konkrete gjatë seancës.
Malltezi paralajmëroi se do të përsërisë kallëzimin penal ndaj Taulant Ballës dhe kryeministrit Edi Rama, duke i akuzuar për mashtrim dhe denoncim të rremë.
“Do ta përsërisim kallëzimin penal ndaj Ballës dhe Ramës. Këto nuk janë pretendime, janë fakte,” deklaroi ai.
Në vijim, ai e cilësoi procesin gjyqësor si të ndikuar politikisht dhe akuzoi Ballën për shkelje të ligjit, përfshirë edhe përdorimin e të dhënave personale pa të drejtë.
Seanca për çështjen “Partizani” vijon të shoqërohet me përplasje të forta mes palëve, ndërsa pritet të ketë zhvillime të tjera në vijim të procesit gjyqësor.









