“Surpriza” në PD – Kush është Mereme Sela, rivalja e vetme e Berishës në garën për kryetar?

Në një garë që deri tani shihet më shumë si formale sesa e hapur, i vetmi emër që është regjistruar përballë Sali Berishës për drejtimin e Partisë Demokratike është ai i Mereme Selës, mjeke në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Sela nuk është një figurë e njohur në politikën shqiptare dhe as pjesë e strukturave drejtuese të PD-së. Ajo vetë e pranon mungesën e eksperiencës në poste drejtuese brenda partisë. “Role drejtuese nuk më është dhënë asnjëherë”, ka deklaruar ajo pas dorëzimit të kandidaturës në selinë blu, duke theksuar se motivimi i saj lidhet me sjelljen e një fryme të re në politikë.

Ajo është anëtare e Partisë Demokratike që prej vitit 2014 dhe ka marrë pjesë më parë në proceset e brendshme zgjedhore të partisë. Në primaret e vitit të kaluar në qarkun e Durrësit, Sela mori 43 vota, një rezultat modest, por që nuk e ka ndalur të hyjë në garën për kreun e PD-së.

Si mjeke në QSUT, ajo thotë se kandidimi i saj mbështetet te përvoja profesionale dhe nevoja, sipas saj, për të sjellë figura të reja në drejtimin e partisë. “Nëse qytetarët i japin rëndësi shëndetit, arsimit dhe familjes, unë besoj se kam profilin e duhur për të kontribuar në këto fusha,” është shprehur ajo.

Sela ka kritikuar gjithashtu mënyrën e zhvillimit të proceseve të brendshme në parti, duke deklaruar se do të kishte preferuar një garë më të hapur me prezantim programesh përpara anëtarësisë.

Megjithatë, ajo ka shprehur respekt për kundërshtarin e saj në garë, Sali Berishën. “Kam shumë respekt për doktorin, pasi është edhe koleg dhe profesor për mua,” ka thënë ajo.

Programi i saj politik, nëse do të drejtonte Partinë Demokratike, fokusohet kryesisht në dy shtylla: përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe reformimin e arsimit.

Me përfundimin e afateve të kandidimit, Mereme Sela mbetet deri tani e vetmja figurë që sfidon zyrtarisht Sali Berishën në këtë garë për drejtimin e Partisë Demokratike.