Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka sjellë këtë të enjte një zhvillim të rëndësishëm në çështjen e njohur si dosja “Partizani”.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kallëzuesi i kësaj çështjeje, Taulant Balla, është paraqitur në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit, duke dhënë deklarime edhe përpara mediave në hyrje të institucionit të drejtësisë.
Balla e ka cilësuar këtë proces si një moment me peshë për drejtësinë shqiptare dhe për vendin në tërësi, duke theksuar se sipas tij po forcohet besimi i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë.
“Unë besoj se shqiptarët sot kanë më shumë besim tek drejtësia dhe drejtësia është një institucion që po forcohet dita-ditës. Politikanët që vijnë këtu duhet të mbështesin SPAK-un dhe punën e tij në çmontimin e korrupsionit shumëvjeçar,” u shpreh Balla.
Ai shtoi se zhvillimet e fundit tregojnë, sipas tij, një afrim më të madh të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke e lidhur këtë me reformën në drejtësi.
“Që nga viti 1912, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës se sot. Arsyeja është reforma në drejtësi që ka rikthyer besimin. Pritshmëria jonë është që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027,” deklaroi ai.
I pyetur nga gazetarët nëse i qëndron kallëzimit të tij fillestar, Balla u shpreh prerë se nuk tërhiqet nga akuzat e ngritura.
“A i qëndroj kallëzimit tim? Po, i qëndroj fjalë për fjalë. Është rasti tipik i korrupsionit të zyrtarit të lartë,” tha ai, duke iu referuar personave të pandehur në këtë çështje.
Dosja “Partizani” vijon të jetë një nga proceset më të bujshme në GJKKO, me përplasje të forta politike dhe juridike, ndërsa dëshmitë e palëve pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në vijim të hetimeve dhe gjykimit.









