Sot përfundon afati zyrtar për dorëzimin e kandidaturave në garën për drejtimin e Partisë Demokratike, një proces që ka ngjallur debat dhe interes të lartë brenda kampit blu.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ka deklaruar nga selia e partisë se procesi ka qenë i hapur dhe transparent për çdo anëtar që dëshiron të marrë pjesë në garë.
Sipas tij, çdo demokrat që plotëson kriteret statutore ka pasur dhe vazhdon të ketë mundësinë të aplikojë pa asnjë pengesë.
“Çdo anëtar i Partisë Demokratike që ka dëshirë dhe i plotëson kriteret mund të aplikojë,” është shprehur Noka, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë rast refuzimi të aplikimeve.
Duke u ndalur te kandidaturat e mundshme, përfshirë edhe Mereme Selen – e përmendur si një nga emrat që mund të përballet në garë – Noka u shpreh se gjithçka do të vlerësohet sipas rregullave të brendshme të partisë.
“Ajo është anëtare e PD-së, do të shohim nëse plotëson kriteret. Dera e partisë është e hapur për të gjithë, asnjë anëtari nuk i është refuzuar aplikimi,” deklaroi ai.
Noka shtoi gjithashtu se procesi është njoftuar dhe bërë publik që në momentin e vendimit të kryesisë së PD-së më 13 mars, kur u hap zyrtarisht gara për drejtimin e partisë.
“Ka pasur transparencë të plotë. Pretendentët kanë pasur një muaj afat për të aplikuar. Dera e PD-së është e hapur, siç e shihni vetë,” përfundoi ai.
Këtë mënyrë reagimi ka gjetur PD, për t’i dhënë përgjigje refuzimit të kandidatëve Salianji, Balliu e Kokalari nga gara me Sali Berishën për kreun e partisë.









