Macronit i “djeg” batuta historike e Mbretit Charles se po të mos ishte Anglia, SHBA do fliste frëngjisht – Kreu francez shpërthen me ironi…

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar në mënyrë ironike pas një deklarate me tone humori të Mbretit të Britanisë së Madhe, Charles III, gjatë darkës shtetërore të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë vizitës zyrtare në Uashington, në kuadër të ceremonive për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Mbreti Charles i është drejtuar presidentit amerikan Donald Trump me një batutë historike që shkaktoi të qeshura në sallë.

Ai u shpreh se “nëse britanikët nuk do të kishin qenë të pranishëm në Amerikën e Veriut, sot amerikanët ndoshta do të flisnin frëngjisht”, duke iu referuar rivalitetit historik mes Britanisë dhe Francës në periudhën e kolonizimit.

Deklarata u interpretua si një kunjë e lehtë në kontekst diplomatik, duke marrë parasysh edhe marrëdhëniet historike mes fuqive evropiane në kontinentin amerikan.

Menjëherë pas kësaj, presidenti francez Emmanuel Macron e shpërndau videon e momentit në rrjetet sociale, duke reaguar me një koment të shkurtër dhe ironik: “Do të ishte shumë elegante”.

Reagimi i Macron u pa gjerësisht si një përgjigje diplomatike me humor, duke ruajtur tonin miqësor mes Parisit dhe Londrës, por njëkohësisht duke reflektuar edhe rivalitetin historik mes dy vendeve.

Deklarata e Mbretit Charles erdhi gjatë fjalimit të tij në darkën shtetërore, ku ai kujtoi edhe deklaratat e mëparshme të Donald Trump për Evropën, duke theksuar me humor se historia e dy anëve të Atlantikut është e ndërthurur ngushtë mes bashkëpunimit, konkurrencës dhe aleancave të forta.

Në sallë, batuta u prit me të qeshura nga të pranishmit, ndërsa vetë Trump reagoi me buzëqeshje, duke vijuar më tej fjalën e tij mbi marrëdhëniet historike SHBA–Britani e Madhe.