Disa ditë pas lajmeve për një ndërhyrje kirurgjikale, janë bërë publike detaje të reja mbi gjendjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Konfirmimi ka ardhur nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili ka sqaruar natyrën e operacionit.
Sipas tij, Veliaj i është nënshtruar një procedure për heqjen e disa nishaneve me natyrë të dyshuar, ndërhyrje që është kryer pa komplikacione. Ndreca theksoi se aktualisht po kryhen analizat përkatëse, ndërsa nuk ka asnjë shqetësim serioz për shëndetin e tij.
Ai shtoi se kryebashkiaku ndodhet në gjendje shumë të mirë fizike dhe psikologjike, duke përjashtuar çdo problematikë të rëndësishme. Madje, sipas tij, situata aktuale i ka krijuar edhe më shumë hapësirë për aktivitet fizik dhe kujdes ndaj vetes.
Deklaratat u bënë gjatë një lidhjeje telefonike në emisionin “Shqipëria Live”, duke qetësuar kështu zërat dhe spekulimet që qarkulluan në ditët e fundit lidhur me gjendjen shëndetësore të Veliajt.









