Kosova drejt zgjedhjeve të reja – Në lojë 31 maji dhe 7 qershori

Kosova pritet t’i drejtohet sërish zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri, duke thelluar ngërçin politik në vend.

Me përfundimin e afatit kushtetues dhe shpërndarjen e Kuvendit, vendi hyn zyrtarisht në një proces të ri zgjedhor, i treti brenda rreth një viti e gjysmë. Sipas parashikimeve ligjore, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditëve, ndërsa dy datat më të mundshme janë 31 maji dhe 7 qershori.

Vendimi përfundimtar për datën i takon ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

Kriza u thellua pas dështimit të seancave të njëpasnjëshme për zgjedhjen e presidentit, ku mungoi konsensusi mes shumicës dhe opozitës. Albin Kurti propozoi kandidatët e tij, ndërsa nga ana tjetër Lumir Abdixhiku hodhi në tryezë emrin e Vjosa Osmani, por pa arritur marrëveshje për votat e nevojshme.

Në mungesë të një zgjidhjeje politike, vendi po i afrohet edhe një procesi të ri zgjedhor, ku data e 7 qershorit shihet si më e mundshmja për zhvillimin e votimeve.