Firmoset marrëveshja – Rama: Pashalimani do kthehet në qendër ekselence për ndërtimin e anijeve

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në firmosjen e marrëveshjes mes kompanisë Fincantieri dhe partnerit shqiptar KAYO, për prodhimin e anijeve në kantierin e Pashaliman.

Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi marrëveshjen si një hap strategjik për vendin, duke theksuar se projekti nuk lidhet vetëm me forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe të Forcave të Armatosura, por edhe me zhvillimin ekonomik dhe hapjen e mundësive të reja për të rinjtë.

Sipas tij, krijimi i shoqërisë së përbashkët “Fincantieri Albania” synon të ndërtojë në Shqipëri anije që do të shërbejnë jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për aleatët ndërkombëtarë, duke hapur rrugë për eksport.

Rama theksoi se ky bashkëpunim do ta kthejë Pashaliman në një qendër ekselence italo-shqiptare në fushën e ndërtimit naval dhe inovacionit, me ndikim më të gjerë në industrinë detare.

Ai shtoi gjithashtu se dy anijet e para do të ndërtohen për Forcat e Armatosura shqiptare, duke rritur flotën detare në shtatë njësi, ndërsa në vijim pritet zgjerimi i prodhimit edhe për tregjet ndërkombëtare.