‘Nuk ndihemi jetimë’ – kryeministri Rama: SHBA partner kyç për energjinë dhe sigurinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar si një hap strategjik për të ardhmen e vendit marrëveshjen e re energjetike të nënshkruar mes Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Greqisë, e cila synon forcimin e sigurisë energjetike dhe rritjen e pavarësisë së furnizimit në rajon.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Rama theksoi se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndërveprimi me Greqia përbëjnë një moment të rëndësishëm transformimi për Shqipërinë, duke e zhvendosur vendin nga një ekonomi e varur nga energjia hidrike në një aktor që synon eksportin e energjisë së rinovueshme.

Ai kujtoi se në të kaluarën sektori energjetik në Shqipëri ishte në gjendje të rënduar financiare dhe teknike, ndërsa sot, sipas tij, vendi është në një fazë krejt tjetër zhvillimi, ku investimet dhe reformat kanë sjellë stabilitet dhe ambicie të reja për tregun rajonal.

Rama deklaroi se synimi i qeverisë është që brenda pak vitesh Shqipëria të kalojë nga një vend që vetëm konsumon energji, në një vend eksportues të energjisë së pastër, duke përfshirë investime në hidro, diell dhe erë, si dhe projekte të reja infrastrukturore.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua edhe rolit të partneritetit me SHBA-në, të cilin e cilësoi si garant të sigurisë energjetike dhe stabilitetit rajonal.

“Ky partneritet me SHBA-të na vendos në anën e sigurt të historisë, duke na bërë pjesë të zgjidhjeve dhe jo të problemeve të rajonit,” u shpreh Rama, duke nënvizuar rëndësinë e diversifikimit të burimeve të energjisë dhe reduktimit të varësisë nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë.

Kryeministri nuk kurseu as batutat gjatë fjalës së tij, duke iu referuar pranisë së përfaqësueses amerikane në ceremoninë në Tiranë. Ai u shpreh me humor se Shqipëria “nuk ndihet më si jetim”, duke nënkuptuar mungesën e një ambasadori amerikan të akredituar aktualisht në vend, por duke vlerësuar praninë dhe angazhimin e përfaqësuesve diplomatikë amerikanë në rajon.

Rama falënderoi gjithashtu edhe ekipin diplomatik amerikan në Shqipëri për mbështetjen në realizimin e marrëveshjes, si dhe ekipet shqiptare që kanë punuar për përgatitjen e saj në një kohë të shkurtër.

Në përfundim të ceremonisë, u theksua se marrëveshja e re për gazifikimin dhe energjinë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e sigurisë energjetike të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.