Altin Dumani kundër avokatëve mbrojtës të Erion Veliaj: Kërkesa artificiale për zvarritje

Në seancën e zhvilluar në GJKKO për çështjen ndaj Erion Veliaj, prokurori i posaçëm Altin Dumani ka kritikuar ashpër kërkesat e mbrojtjes, duke i cilësuar ato si artificiale dhe të orientuara drejt shtyrjes së procesit.

Sipas tij, pavarësisht se kanë kaluar dy muaj nga nisja e shqyrtimit në themel, çështja vijon të mbetet në fazë paraprake për shkak të kërkesave të përsëritura nga avokatët.

Gjykata rrëzoi gjithashtu kërkesën për transmetimin live të seancës, me argumentin se një praktikë e tillë mund të cenojë zhvillimin normal të procesit penal, sidomos në raste që përfshijnë dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të drejtësisë.

Trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtaret Ëngjëllushe Tahiri, Rudina Palloj dhe Alma Kodraliu, hodhi poshtë edhe kërkesën që Veliaj të mos qëndrojë në kafazin e sigurisë në sallën e gjyqit.

Në përfundim, gjykata vendosi ndarjen e çështjes: 11 të pandehur do të gjykohen me procedurë të shkurtuar, ndërsa Veliaj, bashkëshortja e tij dhe 17 persona të tjerë do të përballen me një proces të rregullt gjyqësor përpara një tjetër trupe. Seanca e radhës për grupin që ka kërkuar gjykim të shkurtuar është caktuar për 20 maj.