Pamë tmerr me sy” – Dëshmitarët rrëfejnë panikun në darkën e Trump – Rikujtohet atentati ndaj Reagan

Dëshmitarët e të shtënave gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë i përshkruajnë momentet si skena terrori dhe paniku brenda sallës.

Kongresmeni Jamie Raskin deklaroi se u hodh përtokë nga agjentët e sigurisë, ndërsa në ambient dëgjoheshin zhurma të forta dhe thirrje alarmi. Edhe pjesëmarrës të tjerë treguan për skena frike, ku shumë persona u strehuan për disa minuta nën tavolina.

Pas incidentit, eventi u anulua dhe salla u evakuua plotësisht, ndërsa jashtë hotelit Washington Hilton u vendosën forca të shumta policie dhe helikopterë monitoronin zonën nga ajri.

Ngjarja riktheu në vëmendje edhe një episod historik: në të njëjtin hotel, në vitin 1981, u qëllua ish-presidenti amerikan Ronald Reagan gjatë një atentati që tronditi vendin.

Edicioni i këtij viti ishte konsideruar i tensionuar për shkak të pranisë së Presidentit Donald Trump dhe figurave kyçe të administratës. Pavarësisht incidentit, organizatorët njoftuan se eventi pritet të riplanifikohet brenda 30 ditëve, ndërsa tradita e kësaj darke, që daton që nga viti 1921, mbetet një nga ngjarjet më simbolike që bashkon politikën dhe median amerikane.