Presidenti amerikan Donald Trump ka sqaruar se vendimi për të anuluar udhëtimin e dy këshilltarëve të tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, drejt Pakistanit nuk duhet interpretuar si një sinjal për rifillim të konfliktit me Iranin.
Në një bisedë telefonike me gazetarin e Axios, Barak Ravid, Trump theksoi se ky vendim nuk lidhet me përshkallëzim ushtarak, duke deklaruar se “ende nuk kemi menduar për këtë” kur u pyet për mundësinë e rikthimit në luftime.
Më herët gjatë ditës, Trump bëri të ditur se delegacioni amerikan nuk do të udhëtojë drejt Islamabad për një raund të ri bisedimesh me Iranin, duke argumentuar se një udhëtim i gjatë nuk është i nevojshëm në kushtet aktuale.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara ndodhen në një pozicion të favorshëm në raport me Iranin dhe se pala iraniane mund të kontaktojë Uashingtonin në çdo moment nëse dëshiron të negociojë.









