FIFA gati të ndryshojë rregullat – ndeshje kampionati jashtë vendit!

Një ndryshim i madh dhe i papritur po troket në botën e futbollit. FIFA po shqyrton seriozisht një rregull të ri që do të lejojë zhvillimin e një ndeshjeje kampionati për çdo sezon… jashtë vendit ku zhvillohet liga.

Ideja, që deri pak kohë më parë dukej e pamundur, tashmë është në fazë konkrete diskutimi dhe mund të hyjë në fuqi që në sezonin e ardhshëm. Sipas planit, klubet do të kenë mundësinë të përballen në vende të tjera, duke e shndërruar futbollin në një spektakël edhe më global.

Tentativa të ngjashme janë bërë edhe më parë, si përballjet e planifikuara mes Villarreal dhe Barcelona, apo Milan me Como, por ato nuk arritën të realizohen për shkak të pengesave rregullatore.

Sistemi i ri do të funksionojë përmes një protokolli të detajuar: kërkesa duhet të miratohet nga federata përkatëse, klubet pjesëmarrëse, UEFA (për klubet europiane), si dhe nga federata dhe konfederata e vendit pritës. Në fund, vendimi përfundimtar do të merret nga FIFA.

Ky hap shihet si një revolucion i vërtetë për futbollin modern, që synon të rrisë audiencën globale dhe të çojë ndeshjet e kampionateve në tregje të reja ndërkombëtare.