Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Teksas me kongresmenin amerikan Keith Self, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve.
Në një reagim në rrjetin social “X”, kreu i shtetit shqiptar bëri të ditur se e falënderoi kongresmenin për vëmendjen e vazhdueshme ndaj çështjeve shqiptare dhe rajonit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes amerikane.
Gjatë takimit, palët shkëmbyen mendime mbi rolin kyç të SHBA në rajon, si dhe rëndësinë e strukturave ndërkombëtare të sigurisë si NATO dhe KFOR.
Begaj nënvizoi gjithashtu nevojën për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, në një kohë kur zhvillimet gjeopolitike në rajon mbeten të ndjeshme.









