Një krizë e re politike ka shpërthyer në Rumani pasi shtatë ministra nga Partia Socialdemokrate (PSD), forca më e madhe në koalicionin qeverisës, kanë dhënë dorëheqjen nga kabineti i kryeministrit Ilie Bolojan.
Lëvizja e tyre i ka hequr qeverisë shumicën parlamentare dhe ka ngritur shqetësime për stabilitetin politik të vendit, si dhe për rrezikun e vonesave në aksesin e fondeve të Bashkimit Europian, raportojnë mediat ndërkombëtare.
PSD, një parti që kohët e fundit ka parë një zhvendosje të një pjese të mbështetësve drejt së djathtës ekstreme opozitare, kishte kërkuar më herët dorëheqjen e kryeministrit Bolojan, duke kundërshtuar politikat e tij për uljen e shpenzimeve publike dhe reduktimin e deficitit buxhetor. Megjithatë, deri tani ajo kishte mbështetur masat e qeverisë.
Kryeministri Bolojan ka refuzuar të largohet nga detyra dhe ka njoftuar se do të emërojë ministra të përkohshëm nga radhët e kabinetit ekzistues, të cilët mund të qëndrojnë në detyrë deri në 45 ditë, periudhë brenda së cilës parlamenti duhet të formojë një qeveri të re.
Nga ana tjetër, PSD ka paralajmëruar paraqitjen e një mocioni mosbesimi dhe po shqyrton mundësinë e formimit të një qeverie të re pro-evropiane, në bashkëpunim me parti të tjera dhe një kryeministër të ri, qoftë politik apo teknokrat.
Kriza vjen në një moment të tensionuar për koalicionin, i formuar rreth dhjetë muaj më parë me synimin për të frenuar rritjen e forcave të së djathtës ekstreme, por i përfshirë vazhdimisht në përplasje për politikat e kursimeve buxhetore.









