Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar në Parlament se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht kritikave të forta për mënyrën si është trajtuar çështja e Peter Mandelson.
Gjatë debatit javor në Dhomën e Komunave, Starmer theksoi se fokusi i tij mbetet qeverisja e vendit dhe se nuk do të shpërqendrohet nga polemikat politike që po e shoqërojnë këtë rast.
Çështja lidhet me emërimin e Mandelson si ambasador në SHBA, si dhe me akuza për mungesë transparence në procesin e verifikimit të tij. Ai u shkarkua më herët pas akuzave dhe zbulimeve që ngritën dyshime mbi të kaluarën e tij dhe lidhjet e pretenduara me Jeffrey Epstein.
Debati është intensifikuar pasi media britanike raportoi se ministria e jashtme kishte dhënë miratime pavarësisht kundërshtimeve të brendshme, duke sjellë edhe dëshmi nga ish-zyrtarë të lartë.
Starmer ka këmbëngulur se procedurat janë ndjekur sipas rregullave dhe se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.









