Transporti publik i Tiranës në krizë – Miratohet në këshillin Bashkiak kompensimi 50 lekë/litër për naftën

Operatorët e transportit publik në Tiranë kanë paralajmëruar kufizim të flotës së urbanëve për shkak të rritjes së kostove të karburantit, situatë e ndikuar edhe nga rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Në përgjigje të kësaj situate, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një projektvendim të qeverisë për kompensimin e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, si pjesë e paketës “Anti-Krizë”.

Sipas vendimit, shoqëritë e transportit do të përfitojnë 50 lekë për litër karburanti për një periudhë tre mujore, përkatësisht mars, prill dhe maj 2026. Kompensimi do të llogaritet mbi konsumin real të karburantit, por jo më shumë se sasia e përdorur në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ky vendim vjen si masë lehtësuese për operatorët e transportit publik, të cilët kanë paralajmëruar reduktim të shërbimit në rast të mungesës së mbështetjes financiare.

Pas miratimit në Këshillin Bashkiak të Tiranës, pritet që projektvendimi të kalojë për miratim përfundimtar në qeveri.