PS hap negociatat për sistemin zgjedhor – Gjiknuri: Të diskutohet edhe numri i deputetëve

Pas propozimit të Sali Berisha për një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, ka reaguar mazhoranca përmes Damian Gjiknuri, i cili shprehet i gatshëm për dialog politik.

Në një intervistë për TCH Gjiknuri theksoi se Partia Socialiste e Shqipërisë është e hapur për diskutime, por ndryshimet duhet të jenë më të gjera dhe të përfshijnë edhe rishikimin e numrit të deputetëve.

Sipas tij, reforma zgjedhore prek drejtpërdrejt Kushtetutën dhe kërkon një proces të mirëfilltë përmes një komisioni të posaçëm për reformën kushtetuese, ku palët të arrijnë konsensus për ndryshimet kryesore.

Mazhoranca thekson se nuk mjafton vetëm ndryshimi i sistemit zgjedhor, por duhet një qasje gjithëpërfshirëse për reformimin e strukturës përfaqësuese në vend.

Një ditë më parë Sali Berisha pranoi se partitë e opozitës po punojnë për një qëndrim të unifikuar për kodin e ri zgjedhor. Kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar me lista të hapura. Cili është qëndrimi i Partisë Socialiste?

https://cc65160fa5c4e593984745b575b4bfed.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-45/html/container.html

Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore: Duhet theksuar së pari se reforma zgjedhore bazohet te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe, siç e dini, për sistemin zgjedhor s’ka rekomandim. Kjo do të thotë se s’ka një sugjerim apo recetë të caktuar për çështjen e reformimit të sistemit elektoral.

Megjithatë, pasi dëgjova publikisht (pasi nuk e kam parë konkretisht se cili është propozimi i tyre) por dëgjova një qëndrim të ri politik që një pjesë e opozitës do të unifikojë pozicionin e saj nëpërmjet paraqitjes së një propozimi për sistem proporcional kombëtar, them se sistemi zgjedhor është një çështje e përcaktuar në Kushtetutë.

Pra, nëse ne do të shkojmë drejt ndryshimit të sistemit zgjedhor, do të duhet të prekim Kushtetutën, pasi aty është përcaktuar qartë edhe sistemi zgjedhor që kemi në fuqi. Në këto kushte, mendoj se është e udhës, siç edhe PS, meqë kjo është çështje vullneti dhe dëshire, pra s’ka një rekomandim,  atëherë edhe PS ka pasur një propozim publik për rishikimin e numrit të deputetëve.

Është e udhës që të dyja palët të bien dakord të ulen dhe të rishikojnë Kushtetutën nëpërmjet një Komisioni të Reformës Kushtetuese, që prek çështjen e formimit të Kuvendit, numrit të mandateve dhe njëkohësisht edhe çështjen e sistemit zgjedhor, e cila patjetër duhet të konsiderohet, çdo lloj propozimi, për t’u shqyrtuar nga të gjitha palët që do të jenë pjesë e këtij komisioni.

Pra, po ftoni opozitën në negociata për ndryshime kushtetuese?

Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore: Çdo ndryshim në sistemin zgjedhor kërkon ndryshim në Kushtetutë. Do të thotë që ne pranojmë të ulemi ta shqyrtojmë, duke marrë në konsideratë edhe propozimet tona, se në fund të fundit edhe mazhoranca ka të drejta të barabarta. Kjo është çështje e sovranitetit politik dhe, siç thashë, është dëshirë e forcave kryesore politike.

Nëse ata do të duan ndryshim të sistemit zgjedhor dhe kanë dalë me këtë propozim që kërkon prekjen e Kushtetutës, edhe ne mendojmë se ka ardhur momenti të ngrihet një komision ku të shqyrtohet edhe propozimi ynë për uljen e numrit të mandateve në Kuvend, dhe patjetër gjithçka tjetër që lidhet me gjithë atë superstrukturë kushtetuese që ka vendi.