Kaos në udhëheqësinë e Iranit – Luftë për pushtet mes fraksioneve pas vakumit në krye të vendit

Situata politike në Iran mbetet e paqartë dhe e tensionuar, pas goditjeve të forta ndaj elitës drejtuese që krijuan një vakum të dukshëm në majat e pushtetit. Edhe pse është përfolur një pasardhës, mungesa e një figure të qartë dhe aktive në publik ka shtuar konfuzionin mbi atë se kush po merr realisht vendimet në vend.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, strukturat drejtuese në Iran duken të përçara mes fraksioneve të linjës së ashpër dhe atyre më të moderuara. Këto ndarje po reflektohen edhe në qëndrimet ndaj negociatave me SHBA-në, ku një pjesë kërkon konfrontim, ndërsa të tjerë shfaqin hapje për dialog.

Analistët vlerësojnë se aktualisht ndikimin më të madh e ka Garda Revolucionare dhe drejtuesit e saj, të cilët po luajnë rol kyç në drejtimin e vendit dhe në proceset e negociatave. Ndërkohë, figurat civile tradicionale si presidenti, kryetari i parlamentit apo ministri i jashtëm duket se kanë një rol më të kufizuar në këtë fazë.

Presidenti Masoud Pezeshkian, i konsideruar si më i moderuar, raportohet se është lënë në plan të dytë, ndërsa figura të forta të sigurisë dhe drejtësisë po marrin më shumë peshë në vendimmarrje.

Në këtë klimë pasigurie, edhe vetë aktorët ndërkombëtarë kanë shprehur dyshime për qartësinë e zinxhirit komandues në Iran, duke e cilësuar situatën si një garë të hapur për pushtet mes grupeve të ndryshme brenda establishmentit.