Abdixhiku sinjalizon afrimin me Osmanin: Bashkimi i së djathtës është i pandalshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se është në komunikim me ish-presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se ekziston gatishmëri për një bashkim më të gjerë politik në krahun e djathtë.

Në një intervistë televizive, Abdixhiku u shpreh se në momente kyçe politike duhet të lihen mënjanë ndasitë dhe konfliktet e së shkuarës, në funksion të një qëllimi të përbashkët. Ai bëri thirrje për unitet brenda LDK-së dhe më gjerë, duke nënvizuar se bashkimi i forcave që identifikohen me frymën rugoviste është i domosdoshëm.

Sipas tij, kur lind nevoja për bashkim, dallimet dhe debatet e vogla duhet të tejkalohen, duke i hapur rrugë një fronti të përbashkët politik. Abdixhiku u shpreh i bindur se ky proces është i pashmangshëm dhe nuk mund të ndalet.