Sali Berisha, ka prezantuar një strategji të re politike që synon ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe bashkimin e forcave opozitare në një front të vetëm kundër qeverisë.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u ndal fillimisht te protestat e organizuara nga opozita, duke i cilësuar ato si paqësore dhe masive. Ai pretendoi se në disa protesta të zhvilluara deri tani nuk është shënuar asnjë efektiv policie i plagosur, pavarësisht tensioneve në terren.
Sipas tij, në disa raste ndaj protestuesve janë përdorur mjete të forta për kontrollin e turmës, përfshirë gaz lotsjellës dhe mjete të tjera, ndërsa akuzoi autoritetet për përdorim të forcës së tepruar.
Berisha paralajmëroi gjithashtu një protestë të re, të cilën e cilësoi si më të madhën që vendi ka parë ndonjëherë, duke theksuar se aksioni opozitar do të vijojë të intensifikohet.
Në qendër të deklaratës së tij ishte edhe propozimi për reformën zgjedhore, ku ai paraqiti idenë e një sistemi proporcional me lista të hapura në nivel kombëtar.
Sipas Berishës, ky model synon të garantojë përfaqësim më të drejtë dhe të ndihmojë në bashkimin e opozitës, duke i dhënë peshë reale kontributit të çdo force politike në një koalicion të përbashkët.
Ai theksoi se ky propozim është diskutuar dhe pranuar brenda koalicionit që ai drejton, si një hap drejt krijimit të një fronti të gjerë politik opozitar.
Berisha shtoi se qëllimi final i kësaj nisme është bashkimi i të gjitha forcave opozitare që ndajnë të njëjtin qëndrim kundër qeverisë, me synimin për të ndryshuar pushtetin aktual dhe për të rikthyer, sipas tij, “votën e lirë” në vend.
Ai theksoi se procesi i bashkimit do të bazohet në kontributin real të çdo partie dhe pritet të konkretizohet në një fazë të afërt politike.









