Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit dhe drejtuesit e Formula 1 kanë miratuar një paketë të re ndryshimesh teknike që pritet të ndryshojë mënyrën e garimit, me synim rritjen e sigurisë dhe kontrollin e rrezikut gjatë parakalimeve me shpejtësi të lartë.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi që në Çmimin e Madh të Grand Prix i Miamit, i cili zhvillohet fundjavën e ardhshme, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si makinat përdorin energjinë elektrike gjatë garës dhe kualifikueseve.
Sipas FIA-s, vendimi është marrë pas një konsensusi mes skuadrave, konstruktorëve të motorëve dhe drejtuesve të Formula 1, pas konsultimeve edhe me pilotët. Ndryshimet pritet të miratohen zyrtarisht nga Këshilli Botëror i Motorsportit, por konsiderohen tashmë thuajse të sigurta.
Thelbi i reformës qëndron te mënyra e menaxhimit të energjisë hibride: makinat do të kenë karikim më të shpejtë në shpejtësi të lartë, por me kufizime më të rrepta në sasinë totale të energjisë që mund të përdoret për xhiro. Qëllimi është të ulet “shfrytëzimi agresiv” i energjisë dhe të promovohet një stil më i qëndrueshëm garimi.
FIA thekson se objektivi kryesor është ulja e rrezikut në situata parakalimi dhe afrimi me shpejtësi të madhe, pa eliminuar spektaklin e garës. “Këto masa synojnë të balancojnë sigurinë me mundësitë e parakalimit dhe karakterin garues të makinave,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndryshimet vijnë edhe pas disa incidenteve të fundit në pistë, përfshirë një aksident të rëndë në Grand Prix i Japonisë, që ngriti shqetësime për mënyrën si menaxhohet energjia dhe shpejtësia në fazat kritike të garës.
Gjithashtu, kufizime të reja do të vendosen edhe për sistemin “boost” të parakalimeve, duke reduktuar fuqinë shtesë në disa zona të pistës dhe duke shtuar elemente paralajmëruese për pilotët gjatë nisjes së garës.
Sipas planit, këto masa, së bashku me përmirësime për garat në kushte shiu dhe sigurinë në start, do të testohen për herë të parë në Miami, duke shënuar një nga ndërhyrjet më të mëdha teknike të sezonit në Formula 1.









