Fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Hungari, Péter Magyar, ka deklaruar se vendi do të rikthehet në bashkëpunim me Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe do të zbatojë urdhër-arrestet e lëshuara nga ky institucion, përfshirë edhe atë ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ky vendim shënon një ndryshim të madh kursi krahasuar me qëndrimin e qeverisë në largim të Viktor Orbán, i cili vitin e kaluar njoftoi tërheqjen e Hungarisë nga GJNP, pas vizitës së Netanyahut në Budapest. Tërheqja pritet të hyjë në fuqi më 2 qershor 2026.
Magyar, menjëherë pas fitores, deklaroi rikthimin e vendit në sistemin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe theksoi se ligji do të zbatohet pa përjashtime: çdo person i shpallur në kërkim nga gjykata dhe që hyn në territorin hungarez duhet të ndalohet.
Megjithatë, sipas raportimeve, ai ka pasur një bisedë telefonike me Netanyahun dhe madje e ka ftuar në Budapest për përvjetorin e 70-të të kryengritjes së vitit 1956 kundër Bashkimit Sovjetik, çka ka ngjallur debat mbi qëndrueshmërinë e mesazhit të tij politik.
Në përgjigje të kritikave, Magyar sqaroi se ftesa ishte bërë në mënyrë protokollare për të gjithë liderët me të cilët kishte komunikuar dhe se zbatimi i ligjit ndërkombëtar mbetet i pandryshuar.
Ai njoftoi gjithashtu se parlamenti i ri hungarez do të mblidhet më 9-10 maj, ku ai pritet të betohet zyrtarisht si kryeministër i vendit.









