“Më dhe leje dhe tani po qëllon” – Audio nga tankeri indian drejtuar iranianëve në Ngushticën e Hormuzit

Një audio dramatike është publikuar nga një incident në Ngushticën e Hormuzit, ku kapiteni i një cisterne indiane nafte dëgjohet duke iu lutur Marinës iraniane pasi anija e tij u qëllua gjatë lundrimit.

Sipas raportimeve, cisterna “Sanmar Herald” ishte duke u larguar nga Gjiri Persik kur u përball me ndërhyrjen e forcave iraniane. Në komunikimin radiofonik të regjistruar, kapiteni dëgjohet duke kërkuar ndalimin e sulmit.

“Kjo është anija motorike ‘Sanmar Herald’. Më dhatë leje të largohem. Emri im është në listën tuaj. Po qëlloni tani, më lejoni të kthehem prapa”, dëgjohet të thotë ai.

Nga ana tjetër, Marina iraniane paralajmëroi se asnjë anije nuk duhet të largohet nga pozicionet e saj në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit, duke theksuar se çdo përpjekje për t’iu afruar Ngushticës së Hormuzit do të konsiderohet si bashkëpunim me armikun dhe do të jetë objekt sulmi.

Incidenti vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, pasi Irani kishte deklaruar vetëm një ditë më parë se korridori detar do të qëndronte i hapur gjatë armëpushimit, por më pas e mbylli sërish si kundërpërgjigje ndaj veprimeve amerikane.

Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit është rikthyer plotësisht dhe se çdo lëvizje në zonë do të monitorohet dhe kufizohet rreptësisht nga forcat e armatosura.

Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit është rikthyer plotësisht dhe se çdo lëvizje në zonë do të monitorohet dhe kufizohet rreptësisht nga forcat e armatosura.