Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se nuk e mbështet propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për një formë anëtarësimi në Bashkimin Evropian pa të drejta të plota, përfshirë edhe pa të drejtën e vetos.
Në një intervistë për “Atlantic Council”, ajo theksoi se nuk ekziston koncepti i “anëtarësimit të pjesshëm” në BE dhe se rregulli bazë mbetet i pandryshuar: një vend ose është anëtar me të gjitha të drejtat, ose nuk është pjesë e Unionit.
Sipas saj, ideja e paraqitur nga Rama dhe Vuçiç mund të kuptohet si një shqetësim për ngadalësinë e procesit të zgjerimit, por nuk përputhet me funksionimin e Bashkimit Evropian.
“Nuk ka anëtarësim me të drejta të kufizuara. Ose je anëtar dhe i gëzon të gjitha të drejtat, ose nuk je anëtar,” u shpreh Kos, duke shtuar se qëllimi i saj është që vendet kandidate të bëhen anëtare të plota të BE-së.
Ajo theksoi gjithashtu se procesi i zgjerimit duhet të bazohet vetëm në përmbushjen e reformave dhe kritereve të kërkuara nga BE-ja.
Duke folur për Ballkanin Perëndimor, Kos u shpreh optimiste për ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugën drejt integrimit evropian. Sipas saj, Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2028, ndërsa Shqipëria ka mundësi të anëtarësohet përpara vitit 2030, nëse vijon me ritëm të qëndrueshëm reformat e kërkuara.
Megjithatë, ajo theksoi se Bashkimi Evropian nuk vendos data fikse për anëtarësim, pasi procesi varet nga rezultatet konkrete të vendeve kandidate dhe përmbushja e standardeve të përcaktuara.









