Kanë kaluar afro 13 vite nga ndarja tragjike nga jeta e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, i cili humbi jetën në një aksident rrugor gjatë udhëtimit nga Elbasani drejt Tiranës. Megjithatë, dhimbja për humbjen e tij mbetet ende e gjallë për familjen, veçanërisht për nënën e tij, Kozeta Mamaqi.
E ftuar në podcastin “Pa Komplekse”, Mamaqi ka rrëfyer mes emocioneve të forta momentet e fundit me të birin, duke treguar se nuk e ka pranuar kurrë largimin e tij të parakohshëm.
Ajo kujtoi momentin e ndarjes, duke thënë se ai e kishte puthur në ballë si çdo herë tjetër përpara se të largohej nga shtëpia.
“Ishte e tmerrshme. E përcolla te dera atë ditë, më puthi në ballë si gjithmonë dhe iku… dhe nuk u kthye më. Nuk e besoj dot ende sot, si ka mundësi?”, u shpreh ajo me zërin që i dridhej.
Nëna e ish-deputetit tregoi gjithashtu se për më shumë se dy vite e gjysmë nuk kishte dalë nga shtëpia, e mbyllur në dhimbjen e saj të thellë.
Ajo tha se kishte nisur një libër me tregime, por pas humbjes së të birit nuk kishte gjetur më forcë apo motiv për ta vazhduar.
“Ishte një tmerr. Dy vjet e gjysmë nuk dola nga shtëpia. Nuk kam motiv, më është tharë shpirti…”, tha ajo mes lotësh.
Rrëfimi i saj prekës sjell në vëmendje edhe një herë dhimbjen e gjatë të familjes Olldashi, e cila vijon të mbetet e pandryshuar edhe pas më shumë se një dekade nga humbja e tij.









