Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj Spanjës, duke kritikuar si performancën ekonomike të vendit ashtu edhe nivelin e kontributit të saj në NATO.
Në një reagim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump vuri në dyshim gjendjen ekonomike të Spanjës, duke e cilësuar atë problematike dhe duke theksuar se Madridi, sipas tij, nuk po kontribuon mjaftueshëm në mbrojtjen kolektive të aleancës.
“A e ka parë ndokush sa keq po shkon Spanja? Shifrat e tyre financiare janë të tmerrshme, ndërkohë që pothuajse nuk kontribuojnë fare në NATO,” u shpreh ai.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes SHBA dhe Spanjës janë tensionuar, kryesisht për shkak të kërkesës së Uashingtonit që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet ushtarake deri në 5% të të ardhurave kombëtare—një objektiv që Madridi e ka refuzuar.
Përplasjet janë thelluar edhe më tej për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme, ku Spanja është shfaqur si një nga zërat kritikë ndaj ofensivës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit.
Në këtë klimë të tensionuar diplomatike, deklaratat e Trump pritet të ndikojnë më tej në raportet mes aleatëve brenda NATO-s, duke nxjerrë në pah ndasitë mbi kontributet ushtarake dhe politikat e sigurisë globale.









