Ministri Malaj në Washington – diskutime me zyrtarin amerikan për investime dhe energjinë

Gjatë një vizite zyrtare në Washington, D.C., ministri i Financave i Shqipërisë, Petrit Malaj, ka zhvilluar një takim në Departamentin e Shtetit me nënsekretarin amerikan për çështjet ekonomike, Jacob Helberg.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitave të përvitshme të delegacionit shqiptar në institucionet ndërkombëtare financiare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Në fokus të bisedimeve ishin rritja e investimeve amerikane në Shqipëri, zhvillimi i sektorit të energjisë dhe rëndësia e tij jo vetëm ekonomike, por edhe në aspektin e sigurisë kombëtare, si dhe situata dhe zhvillimet në rajon.

Pala amerikane vlerësoi rolin e Shqipërisë si një partner i rëndësishëm në Ballkani Perëndimor, ndërsa u theksua bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve.

Nga ana e tij, ministri Malaj rikonfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më të favorshme për investitorët e huaj, duke theksuar stabilitetin ekonomik dhe vijimin e reformave strukturore.

Në fund të takimit u diskutuan edhe sfidat globale dhe rëndësia e koordinimit mes aleatëve strategjikë në përballjen me to.