Një reagim i fortë publik i kreut të Partia e Lirisë, Ilir Meta, ndaj gazetarit Flavio Qarri, ka ndezur debat në skenën politike, duke u interpretuar si më shumë sesa një përplasje individuale, por si shenjë e një tensioni më të thellë brenda opozitës.
Në një status të gjatë dhe me tone të ashpra, Meta i është drejtuar Qarrit gazetar i Syri Tv, një media të afërt me familjen Berisha, duke e sfiduar publikisht për të hetuar çështjen e shumëpërfolur të CEZ-it dhe faljes së 479 milionë eurove. Ai e cilëson çështjen DIA si një “tymues” të krijuar nga Edi Rama për të shmangur vëmendjen nga kjo aferë.
Meta këmbëngul se kallëzimi ndaj tij është i sajuar dhe i nxitur politikisht, duke pretenduar se është bërë me urdhër të Ramës përmes një punonjësi shtetëror. Ai përmend gjithashtu emra dhe dokumente që, sipas tij, hedhin poshtë akuzat dhe provojnë se kompania DIA kishte pronësi dhe lidhje ndërkombëtare, jo lidhje me të personalisht.
Në statusin e tij, Meta përdor një gjuhë ironike dhe sfiduese ndaj gazetarit, duke e ftuar të “plugojë” dhe të hetojë më thellë mbi padinë e Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe mbi mënyrën si është trajtuar kjo çështje nga organet e drejtësisë.
Megjithatë, përtej përmbajtjes së deklaratës, vëmendjen e ka tërhequr toni i ashpër ndaj një gazetari të lidhur me kampin e Sali Berisha. Kjo shihet si një sinjal i qartë i një çarjeje në rritje mes Metës dhe Berishës, një përplasje që deri më tani nuk është artikuluar hapur, por që duket se po del gradualisht në sipërfaqe.
Kjo situatë shton pikëpyetje mbi unitetin e opozitës dhe marrëdhëniet mes dy figurave kryesore të saj, ndërsa përplasjet indirekte përmes mediave dhe deklaratave publike po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Postimi i Ilir Metës:
𝐍𝐣𝐞̈ 𝐬𝐪𝐚𝐫𝐢𝐦 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐘𝐥𝐥𝐢𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐧𝐠𝐣𝐞𝐬𝐢𝐭, 𝐅𝐥𝐚𝐯𝐢𝐨 𝐐𝐚𝐫𝐫𝐢
I dashur Flavio,
Dua të të sqaroj edhe njëherë se DIA, ishte dhe mbetet, zhurma e Edi Ramës për të fshehur faljen e 479 milion eurove CEZ-it.
Meqënëse ti i ke futur edhe PLUG-un korrupsionit, kur të kesh kohë, plugo pak se ç’bëhet me padinë zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit (institucion kushtetues), në Prokurori, për faljen e 479 milion eurove?
Plugo pak, a është thirrur një herë të vetme, në cilësinë e kallëzuesit, drejtuesi i KLSH-së?
Plugo pak, a po hetohet kjo çështje apo është mbyllur?
Plugo pak, cili ka qenë apo vazhdon të jetë prokurori i çështjes?
Plugo sepse besoj se do të gjesh shumë fakte interesante.
I dashur Flavio,
Nën dritën e fakteve dhe provave ligjore që kemi publikuar, tani e di i madh dhe i vogël, se kallëzimi ndaj meje është bërë me urdhër të Edi Ramës nga një kallëzues, punonjës i shtetit në OSHEE dhe ish-drejtor i Z. Kastriot Ismailaj.
Ky kallëzues, kurrë nuk e kishte përmendur emrin e Ilir Metës, përveçse në tetor 2017, kur u detyrua me “masa shtrënguese” të bënte një kallëzim të rremë duke ju referuar të tretëve, si Z. Elvis Mataj, i cili nga ana e tij, para prokurorisë, nën betim, i ka mohuar të gjitha deklarimet e kallëzuesit.
Arsyeja pse kallëzuesi u detyrua të bëjë kallëzim, do të sqarohet në vijim, por edhe ti besoj e di shumë mirë, që Edi Rama i ka pikë të dobët personat që kanë halle me drejtësinë.
Kompania DIA, i dashur Flavio, ishte që para se të lindte dhe derisa u mbyll, një krijesë amerikane dhe këtë e sqaroi shumë qartë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, i cili bëri publike vetëm 8 nga të paktën 800 fakte, dokumenta, shkresa dhe dëshmi që e provojnë.
👉 𝐒𝐡𝐢𝐡: https://www.facebook.com/share/v/18QqonPYs3/
Por ndër to unë po të rikujtoj, dokumentin zyrtar shtetëror të regjistrimit të DIA-s në Republikën e Shqipërisë, ekstraktin e marrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku provohet de jure, se kush ishte pronari i kompanisë.
Akti i shkarkimit si administrator të Z. Kastriot Ismailaj provon se pronari i vërtetë i DIA-s, ishte Znj. Rebecca Gaskin.
Këtë fakt e përforcojnë edhe dokumentat e Arbitrazhit, siç provohet edhe nga komunikimet zyrtare mes Z. Elvis Mataj dhe drejtuesit të lartë çek të CEZ-it, Z. Josef Hejsek, ku vërtetohet se Znj. Rebecca Gaskin ishte jo vetëm NR.1 i DIA-Dega Shqipëri por edhe një nga tre aksioneret amerikane të kompanisë mëmë Debt Advisory International LLC.
DIA mëmë është ajo që Z. Hejsek, në dëshminë e tij të dhënë nën betim para prokurorit, më 20 dhjetor 2011, thotë se referencat nga DIA e Uashingtonit na bindën që të lidhnim kontraten midis CEZ-it dhe DIA-s.
Dëshminë e Z. Hejsek, që e kemi publikuar, prokurorët e dorëzuan në seancën paraprake vetëm pas insistimit tonë, pasi dilte e gjithë e vërteta se lidhjen midis DIA-s dhe CEZ-it e bënë vetë amerikanët.
Kur është bërë marrëveshja CEZ-DIA, ka qenë dikush tjetër dhe jo unë, ministër i Ekonomisë, për të cilin dëshmitari Z. Elvis Mataj ka thënë se i ishte premtuar ryshfet dhe pagesë.
Të lutem kur të kesh kohë, shihe edhe njëherë me vëmendje konferencën sqaruese të Z. Blushi dhe plugo për faljen e 479 milion eurove CEZ-it nga Edi Rama!










