Netanyahu shpall ‘fundin e epokës’ së Libanit – Prapaskenat e armëpushimit dhe fati i errët i Hezbollahut”

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dalë me një deklaratë të fortë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit 10 ditor mes Izraeli dhe Libani, duke theksuar se vendi i tij ka arritur “fitore të mëdha strategjike”, por duke paralajmëruar se operacionet nuk kanë përfunduar ende.

Në një fjalim drejtuar opinionit publik, Netanyahu bëri një bilanc të operacioneve disa mujore në veri, duke theksuar se janë neutralizuar dy kërcënime kryesore që vinin nga territori libanez: një i menjëhershëm dhe një afatgjatë. Sipas tij, për herë të parë është krijuar një zonë e zgjeruar sigurie përgjatë kufirit verior, e cila, sipas deklaratës së tij, parandalon depërtimin e forcave të armatosura në territorin izraelit.

Duke u ndalur te kërcënimi afatgjatë, lideri izraelit pretendoi se infrastruktura ushtarake e Hezbollah është goditur rëndë. Ai deklaroi se rreth 90% e depove të raketave dhe municioneve janë shkatërruar një arsenal që, sipas tij, ishte ndërtuar ndër vite nën drejtimin e ish-udhëheqësit të grupit, Hassan Nasrallah.

Netanyahu përmendi gjithashtu operacione të ndjeshme ushtarake, përfshirë eliminimin e drejtuesve dhe militantëve të shumtë të organizatës, duke shtuar se “Hezbollahu sot është vetëm hija e vetes”. Megjithatë, ai theksoi se objektivi përfundimtar – shpërbërja e plotë e kësaj force – kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm ushtarak.

Në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur se armëpushimi i përkohshëm është arritur pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan, Donald Trump, duke shtuar se kjo ka hapur një kanal të ri komunikimi mes dy vendeve.

“Për herë të parë në më shumë se katër dekada, përfaqësuesit e Izraelit dhe të Libanit po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta. Kjo krijon një mundësi reale për një zgjidhje politike dhe ushtarake, edhe pse rruga drejt paqes mbetet e gjatë,” deklaroi ai, duke përdorur metaforën: “Njëra dorë mban armën, ndërsa tjetra është e shtrirë për paqe.”

Megjithatë, situata në terren mbetet e brishtë. Autoritetet në Liban kanë akuzuar ushtrinë izraelite për shkelje të menjëhershme të armëpushimit dhe vazhdim të sulmeve, duke ngritur dyshime serioze mbi qëndrueshmërinë e marrëveshjes dhe sfidat për ruajtjen e qetësisë gjatë ditëve në vijim.