Ish-nënkryetari i guvernatorit të Virxhinias, Justin Fairfax, është gjetur i vdekur së bashku me bashkëshorten e tij, Dr. Cerina Fairfax, në banesën e tyre në periferi të Annandale, pranë Uashingtonit.
Sipas policisë së qarkut Fairfax, trupat e çiftit u zbuluan pas një njoftimi emergjent të bërë nga familjarët. Hetimet paraprake të autoriteteve sugjerojnë se Justin Fairfax ka qëlluar fillimisht bashkëshorten e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Ngjarja ka ndodhur brenda banesës së familjes, ndërsa djali i tyre ka qenë ai që ka kontaktuar shërbimet e emergjencës. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit.
Sipas mediave amerikane, çifti kishte kaluar një periudhë të vështirë dhe ishte në proces divorci. Dokumentet gjyqësore tregojnë se ata jetonin të ndarë prej rreth dy vitesh, por vazhdonin të ndanin të njëjtën banesë për shkak të fëmijëve.
Fairfax kishte qenë një figurë në ngritje në politikën amerikane, por karriera e tij u ndikua rëndë pas akuzave për sulm seksual që u bënë publike disa vite më parë. Më pas ai u tërhoq gradualisht nga jeta politike dhe profesionale.
Hetimet mbi ngjarjen vijojnë.









