Presidenti i Libanit falënderon Donald Trump – Presim armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, në fokus të së cilës ishte situata e tensionuar në Lindjen e Mesme.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social “X”, Aoun e ka falënderuar Trump për përpjekjet e tij diplomatike për të arritur një armëpushim në Liban dhe për nxitjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

Presidenti libanez theksoi gjithashtu se shpresa e tij mbetet arritja sa më shpejt e një armëpushimi mes Izraelit dhe grupit Hezbollah, duke e konsideruar këtë si hap kyç për uljen e tensioneve.

Nga ana tjetër, Donald Trump ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin Aoun dhe për përpjekjet e Libanit në drejtim të stabilizimit të situatës.

Ky komunikim vjen në një moment kur diplomacia ndërkombëtare po intensifikon përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në rajon dhe për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm.