Legjenda e futbollit francez, Thierry Henry, ka analizuar eliminimin e Real Madrid nga Liga e Kampionëve, duke theksuar se Bayern Munich e meritoi plotësisht kualifikimin në gjysmëfinale.
Duke folur për CBS, Henry vlerësoi karakterin e “Los Blancos”, por kritikoi mungesën e ekuilibrit dhe pjekurisë në momentet vendimtare të ndeshjes.
“Real mendonte se ishte i paprekshëm, mbret i përmbysjeve, por Bayerni i dha një goditje të fortë me të njëjtën ‘recetë’,” u shpreh ai.
Sipas tij, ndeshja ndryshoi rrjedhë pas kartonit të kuq të Eduardo Camavinga, moment që u shfrytëzua maksimalisht nga bavarezët. Henry theksoi se në pjesën e dytë Bayern dominoi totalisht lojën, duke e “mbytur” Realin me ritëm dhe presion të vazhdueshëm.
Ai veçoi edhe golin vendimtar të Michael Olise në minutat shtesë, duke e cilësuar si një moment të jashtëzakonshëm qetësie dhe cilësie përballë një kundërshtari si Real Madridi.
Henry nuk kurseu kritikat as për reagimin e tifozëve madrilenë, duke paralajmëruar se ata do të fokusohen te gjykimi:
“Sapo të mbarojë ndeshja, tifozët do të ankohen për arbitrin dhe kartonin e dytë të verdhë. Por në një stadium si ‘Allianz Arena’, nuk duhet t’i japësh gjyqtarit asnjë arsye për të ndërhyrë. Duhet të jesh më i zgjuar.”
Në përfundim, ish-sulmuesi francez theksoi se eliminimi duhet të shërbejë si një alarm për Real Madridin, që sipas tij ka nevojë për më shumë pjekuri dhe kontroll në ndeshje të mëdha.









