Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur Turqinë jugore, ku një shkollë e mesme në provincën Kahramanmaraş është kthyer në skenë tragjedie me katër viktima dhe rreth 20 të plagosur.
Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ka ndodhur në Shkollën e Mesme “Ayser Çalık”, kur një nxënës dyshohet se ka hyrë në ambientet e shkollës me një armë që besohet se i përkiste babait të tij. Ai ka hapur zjarr në dy klasa, duke goditur nxënës dhe mësues në mënyrë të rastësishme.
Mes viktimave raportohet të jenë një mësues dhe tre nxënës, ndërsa të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitale. Guvernatori i provincës, Mükerrem Ünlüer, ka konfirmuar detajet paraprake të sulmit.
Ngjarja ka shkaktuar panik të madh në shkollë dhe në zonë, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje që tregojnë kaos total, me nxënës që largohen me vrap dhe disa që, në përpjekje për t’u shpëtuar të shtënave, hidhen nga dritaret e ndërtesës.
Forca të shumta policie dhe ekipe emergjente kanë rrethuar menjëherë zonën, duke evakuuar shkollën dhe duke rritur masat e sigurisë. Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e sulmit.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pas një tjetër incidenti të armatosur në një shkollë tjetër në Turqi, duke rritur shqetësimet për sigurinë në institucionet arsimore në vend.









