Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë, ku një vajzë 19-vjeçare ka humbur jetën pas një dyshimi për mbidozë droge në një hotel në zonën e Kefalonia.
Sipas hetimeve paraprake të policisë greke, tre të rinj – mes tyre edhe një shtetas shqiptar – dyshohet se kanë konsumuar lëndë narkotike së bashku me viktimën gjatë qëndrimit në një hotel. Më pas, gjendja shëndetësore e vajzës është përkeqësuar rëndë, duke përfunduar me arrest kardiak fatal.
Autoritetet thonë se kamerat e sigurisë i kanë filmuar të rinjtë duke dalë nga hoteli, ndërsa viktima shfaqej në gjendje të rënduar shëndetësore. Më pas, ata dyshohet se e kanë lënë 19-vjeçaren në një hapësirë publike dhe kanë njoftuar më vonë një shoqe të saj për vendndodhjen.
Hetimet zbulojnë gjithashtu se të dyshuarit kanë tentuar të fshehin gjurmët, duke pastruar dhomën e hotelit dhe duke marrë celularin e viktimës.
Tre të rinjtë janë arrestuar dhe po hetohen për vrasje të paqëllimshme, ndërsa çështja i është kaluar prokurorisë, e cila pritet të përcaktojë akuzat përfundimtare në ditët në vijim.









