Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar synimin për një proces të gjerë unifikimi të brendshëm dhe rikthimin e figurave të saj të mëparshme, në kuadër të një riorganizimi politik që synon forcimin e strukturës dhe rikthimin e ndikimit në skenën politike.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, në një konferencë për media, tha se partia po punon për bashkimin e spektrit të saj dhe për rikthimin e të gjithë ish-anëtarëve, duke mos përjashtuar as ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas tij, LDK synon të konsolidojë të gjithë faktorët e së djathtës dhe të rikthejë kohezionin e brendshëm që e ka karakterizuar në periudha të mëhershme.
Azemi theksoi se “dera është e hapur” për rikthimin e çdo figure që ka qenë pjesë e LDK-së, duke e konsideruar këtë si një hap të domosdoshëm për forcimin e partisë dhe rritjen e saj politike në të ardhmen.
Ai shtoi se ky proces është pjesë e një strategjie më të gjerë për riorganizimin e strukturave të partisë dhe për rritjen e efektivitetit të saj në garat e ardhshme politike, ndërsa Kryesia e re pritet të plotësohet edhe me përfaqësues nga degët kryesore të partisë.









