Greqia ka ndërmarrë një hap strategjik në sektorin e energjisë duke nënshkruar marrëveshjen që i hap rrugën nisjes së shpimeve kërkimore për gaz natyror në “Bllokun 2”, në veriperëndim të Detit Jon. Ky projekt shënon rikthimin e kërkimeve të thelluara në det të hapur pas më shumë se katër dekadash.
Marrëveshja është firmosur mes kompanisë greke Energean, e cila është operatorja e projektit, dhe kompanisë suedeze Stena Drilling, e cila do të sjellë në Greqi anijen e specializuar për shpime “Stena DrillMAX”.
Sipas planit, shpimi kërkimor pritet të nisë në shkurt të vitit 2027 dhe të zgjasë rreth dy muaj, deri në prill të po atij viti. Zona ku do të kryhet operacioni ndodhet në një thellësi të konsiderueshme, rreth 840 metra nën ujë, ndërsa shpimi do të shkojë deri në rreth 4.600 metra në thellësi nën tokë.
Sipas vlerësimeve paraprake të kompanisë Energean, zona mund të përmbajë rezerva deri në 270 miliardë metra kub gaz natyror, ekuivalente me rreth 5 miliardë fuçi nafte. Megjithatë, probabiliteti i suksesit të shpimit vlerësohet rreth 16%, një normë e zakonshme për industrinë e kërkimit të hidrokarbureve.
Kostoja e operacionit llogaritet nga 60 deri në 68 milionë euro, ndërsa rezultatet e para zyrtare pritet të bëhen publike në prill të vitit 2027.
Në rast konfirmimi të rezervave tregtare, projekti pritet të kalojë në fazën e zhvillimit industrial, ku mund të përfshihet edhe gjiganti amerikan ExxonMobil, i cili do të marrë pjesë në shfrytëzimin e mëtejshëm të zonës.
Autoritetet greke e shohin këtë projekt si një mundësi të madhe për forcimin e sigurisë energjetike, uljen e varësisë nga importet dhe rritjen e rolit gjeopolitik të vendit në rajon, duke parashikuar që një pjesë e konsiderueshme e fitimeve të shkojë për buxhetin e shtetit.









