Transporti publik ul flotën me 40% pas rritjes së çmimit të naftës

Shoqatat e transportit publik kanë njoftuar se, duke nisur nga 15 prilli, do të reduktojnë me 40% numrin e mjeteve në qarkullim, si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit dhe mungesës së mbështetjes nga institucionet.

Në një reagim zyrtar, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban theksojnë se prej javësh kanë ngritur shqetësime për kostot në rritje, por pa marrë ende asnjë masë konkrete nga autoritetet.

Sipas tyre, nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi, nuk ka plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare dhe nuk është ndërmarrë rishikim i taksave që ndikojnë drejtpërdrejt në sektor.

Operatorët paralajmërojnë se situata financiare është rënduar ndjeshëm, duke i detyruar të ndërmarrin këtë hap, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe planifikim të udhëtimeve.

Ndërkohë, Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimit të naftës në 215 lekë për litër dhe të benzinës në 178 lekë për litër, duke shtuar më tej presionin mbi sektorin.