Kryeministri ironizon lajmet për Ivanka Trump – Rama flet dhe për turizmin: Vlora mund të bëhet si Portugalia e Spanja,

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se qyteti i Vlorës ka potencial të madh zhvillimi turistik dhe ekonomik, duke e krahasuar me destinacione të njohura europiane si Portugalia, Spanja dhe Turqia, ku jetojnë dhe investojnë shumë të huaj.

Gjatë një bashkëbisedimi me operatorë turistikë në qytetin bregdetar, Rama theksoi se Vlora mund të shndërrohet në një qendër të rëndësishme turistike ndërkombëtare, nëse vijon zhvillimi i investimeve dhe infrastruktures.

Në të njëjtin takim, ai ironizoi edhe raportimet mediatike për një vizitë të mundshme të Ivanka Trump në jug të Shqipërisë, duke thënë se lajmet e bëjnë të duket sikur ajo viziton vendin çdo dy muaj.

Kryeministri shtoi se, ndonëse vizita të tilla mund të ndodhin në të ardhmen, aktualisht nuk është në atë fazë që të trajtohen si ngjarje të përsëritura apo të zakonshme.

Rama: Dua për këtë qytet që atë që kemi mbjellë ta korrim jo vetëm në një sezon. Çështja është që investimet e bëra kur askush nuk besonte te turizmi në Vlorë kërkojnë turistë. Shiheni dhe bëjeni vetë, por unë dua garanci për jetëgjatësinë e këtyre investimeve që keni bërë. Ne po zhvillojmë projekte të jashtëzakonshme, por pyetja është: sa njerëz do të sjellin ato projekte strategjike? Vlora ka mundësi të bëhet si ato vende në Portugali, Spanjë apo Turqi, ku të vijnë dhe të jetojnë edhe të huaj.

Shqipëria, në gjithë këto turbullira përreth, është një vend ku jetohet me siguri. Dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën, kuptohet, sepse e bëjnë sikur vjen në Vlorë çdo dy muaj. Do të vijë ajo çdo dy muaj, por nuk jemi ende në atë fazë.